Telegrafi

Kurti dënon sulmin ndaj gazetarit Syla, kërkon nga organet ta trajtojnë rastin me seriozitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla, që ndodhi të martën mbrëma në Prishtinë.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se ky rast është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

Lexo po ashtu Sulmi ndaj Valon Sylës, Policia jep detaje

“Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet me bindjet dhe qëndrimet nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike”, u shpreh kryeministri.

Ai tutje tha se në një shoqëri demokratike nuk duhet lejuar asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se liria e fjalës.

“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë”, deklaroi Kurti, duke shtuar se nga institucionet e rendit pritet dhe kërkohet që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë.

Ndryshe, Valon Syla është sulmuar fizikisht  nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë. /Telegrafi/