Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në “Twitter”, ka njoftuar për takimin e sotëm me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Kurti ka thënë se në takim ka falënderuar Richard Grenell për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, për Kosovën në kohë lufte dhe paqeje, transmeton Telegrafi.
“Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë thash se përmbajtja e tij është më e rëndësishme sesa afatet”, ka shkruar Kurti në Twitter.
I dërguari Special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka takuar gjatë ditës edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin si dhe disa nga liderët politikë./Telegrafi/