Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin për vitin 2025, i cili është në vlerë 3.6 miliardë euro. Pas miratimit në qeveri, Projektligji për buxhetin do të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për projekt-buxhetin për vitin 2025.
Kurti para kabinetit qeveritar, tha se buxheti për vitin e ardhshëm është 3.6 miliardë euro.
Ai specifikoi ndarjen e buxhetit në fusha të caktuara, ku bëri të ditur se 930 milionë do të jenë për investime kapitale.
“916 milionë euro për paga në sektorin publik. 105 milionë euro për nevojat e shëndetësisë, 87 milionë euro për siguri dhe mbrojtje, investime kapitale kemi ndarë 930 milionë euro”, tha ai.
“Rritja e buxhetit ka qenë si asnjëherë më parë. Për vitin 2025, buxheti i shtetit do të jetë mbi tre miliardë euro, pra rreth 300 milionë më i lartë se i vitit 2024”, pohoi Kurti.
Ai ka thënë se me rritjen e pagave për sektorin publik, nga viti 2025, paga mesatare do të jetë 870 euro.
Kurti ka njoftuar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.
“Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komuna, do të ketë edhe mbështetje përmes granteve. Ky buxhet është për të gjithë, ashtu siç është edhe Qeveria jonë”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se me punën e tyre, do të vazhdojë mbështetja për të gjitha kategoritë./Telegrafi/