Site icon Telegrafi

Kurti bën nderime te Parku memorial për të pagjeturit: Kërkojmë të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë nderime te Parku Memorial “Të pagjeturit” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, kushtuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe.

Sipas njoftimit për media me këtë rast, ai vendosi lule të freskëta pranë kësaj pllake pikërisht në 80-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, të rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe, për të cilin edhe sot nuk dihet gjë për fatin e tij.

Tutje në njoftim thuhet se kryeministri rikujtoi 1,617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë për të cilët tha se kërkojnë të vërtetën, drejtësinë e përgjegjësi.

Lidhur me këtë, ai po ashtu njoftoi se Andin Hoti, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe njëherësh i biri i Ukshin Hotit, i ka dërguar edhe një letër presidentit të Serbisë, me ç’rast kërkohet përgjegjësi.

“Përkitazi me këtë e duke u bazuar në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel në takimin e 2 majit, edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, i cili është edhe i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, të brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar dhe kërkon përgjegjësi për të pagjeturit tanë që, siç tha kryeministri, i mungojnë gjithë popullit e shoqërisë. /Telegrafi/

Exit mobile version