Telegrafi

Kurti: Bekim Berisha-Abeja luftëtari më i kulluar i luftës kundër regjimit gjenocidial të Serbisë

Kryeministri Albin Kurti në 26 vjetorin e rënies së komandantit Bekim Berisha – Abeja, ka thënë se ai ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të UÇK-së.

“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje kryeministri ka theksuar se Bekim Berisha, është luftëtari më i kulluar i luftës kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, si luftëtar i tri luftërave në Jugosllavi: fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosnje e Hercegovinë dhe së fundi në vendlindjen dhe atdheun e tij në Kosovë.

“Me një përvojë jetësore të jashtëzakonshme dhe me njohuri të gjera e të provuara ushtarake, Bekim Berisha – Abeja, ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar tutje Kurti. /Telegrafi/