Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sot gjatë ditës ka biseduar me rreth 20 studentë nga Amsterdam University College, me të cilët foli për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin “Duam Zgjedhje” dhe për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti këtë njoftim e bëri përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se nuk i preferon “evropianët që janë anti-amerikanë e as amerikanët që janë anti-evropianë”.
Kurti shkruan se BE dhe ShBA nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën, dhe, për Kosovën, të dyja këto janë të pazëvendësueshme nga kushdo tjetër.
“Çdo vit, një grup studentësh nga ky institucion e viziton Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por kësaj radhe, për shkak të pandemisë COVID-19, diskutimin e zhvilluam online. Unë u tregova për të arriturat e Qeverisë sonë gjatë 4 muajve që ishim në detyrë dhe për sfidat me të cilat u ballafaquam që nga marrja e mandatit. Meqë këto ditë aktivistët tanë janë duke mbledhur nënshkrime për peticionin “Duam Zgjedhje”, biseduam edhe për rëndësinë që kanë zgjedhjet në një vend demokratik si shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe përtërirje e legjitimitetit të institucioneve. Studentët u interesuan të dinë më shumë për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike dhe bisedimet me Serbinë. Unë ju shpjegova që nuk i preferoj evropianët që janë anti-amerikanë e as amerikanët që janë anti-evropianë; se BE dhe ShBA nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën, dhe, për Kosovën, të dyja këto janë të pazëvendësueshme nga kushdo tjetër”, shkruan Kurti.
Kurti tha se u ka dëshiruar studentëve një mbyllje të suksesshme të semestrit dhe uruan që të përfundojë sa më parë pandemia e që vitin e ardhshëm të mund bëhet një takim me të gjithë në Prishtinë. /Telegrafi/