Site icon Telegrafi

Kurti: Barrikadat nga frika i vendosën, nga frika i hoqën

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova edhe këtë vit mund të përballet me sfida të reja pasi sipas tij Serbia fqinje ka qëndrime agresive ndaj vendit tonë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti tha se Kosova është treguar me gjentilesë ndaj KFOR-it sa i përket largimit të barrikadave.

“Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën që ai kërkoi, pasi normalisht se më mirë do të ishte të hiqeshin barrikadat pa intervenimin e policisë. U bë mirë që ata që i vendosën barrikadat i larguan ato. Bindja ime e fuqishme  është se ata nga frika i vendosën e nga frika i larguan ato”.

I pari i ekzekutivit thotë se nuk ka pasur negociata me Serbinë, por negociata ka pasur me Ambasadën Amerikane e KFOR-in.

“Ka pasur me ambasadën amerikane, ka pasur me ambasadorët e Quintit dhe sidomos më KFOR-in dhe EULEX-in, por ne nuk kemi ofruar asgjë në shkëmbim përveç kohës shtesë për KFOR-in”

Kurti thotë se Serbia kishte mbetur pa preteks pas vendimit të Kosovës për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut./Telegrafi/

Exit mobile version