Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi mbrëmë “Queens University” në Belfast, ku ligjëroi dhe mori pjesë në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.
Ai foli edhe për mosmarrëveshjet me Serbinë, ndërsa përmendi marrëveshjen e arritur para një viti.
Ai shtoi se Kosova dhe rajoni përreth janë të veçantë në shtysat e influencës së Rusisë, kryesisht për shkak të aleancës së ngushtë të Serbisë me Rusinë.
“Serbia është i vetmi vend evropian përveç Bjellorusisë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës së Rusisë. Dhe ajo mbajt lidhje të thella ekonomike dhe politike me këtë vend. Në parlamentin e fundit të Serbisë, 99 nga 250 deputetët, pothuajse 40%, ishin gjithashtu anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi. Ne kemi grupet parlamentare të miqësisë me të gjitha vendet që na kanë njohur dhe në më shumë se njëzet deputetë janë anëtarë, por jo 99 në asnjë rast”, ka dekalaruar Kurti.
Më tej, kryeministri foli rreth historikut të shtetndërtimit të Kosovës, dhe sfidat me të cilat është përballur shteti por edhe qytetarët që pas pavarësisë.
“Epoka në të cilën po hyjmë nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e institucioneve; ka të bëjë gjithashtu me ndërtimin e institucioneve që ofrojnë mbështetje të fuqishme sociale për njerëzit. Bëhet fjalë për krijimin e një kornize ku individët të ndjehen të shërbyer dhe të mbrojtur nga shteti,” u shpreh kryeministri.
Përmendi dhe progresin demokratik që ka njohur Republika e Kosovës në tre vitet e fundit dhe indikatorët pozitivë të dëshmuar dhe nga matjet e rangimet ndërkombëtare.
“Për qeverinë time, të jesh besnik ndaj parimeve social-demokratike do të thotë më shumë sesa promovim i drejtësisë dhe barazisë brenda kufijve tanë, por edhe përtej tyre. Republika e Kosovës kërkon jo vetëm të njihet nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe të jetë një kontribues aktiv në adresimin e sfidave madhore me të cilat ballafaqohet bota aktualisht,” tha kryeministri. /Telegrafi/