Site icon Telegrafi

“Kurti apo Vuçiq, i ka raportet më të mira me Trump”, flet kryeministri

Kryeministri Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin e qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

“Ne bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe sinqeritetin dhe seriozitetin tonë,” u shpreh Kurti, duke shtuar se për qeverinë e Kosovës bashkëpunimi me SHBA-në është prioritet.

Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, Kurti ritheksoi përkushtimin e qeverisë së tij për të ruajtur marrëdhëniet e ngushta me administratën amerikane, duke theksuar se synojnë t’i thellojnë ato jo vetëm në aspektin diplomatik.

“Ne dëshirojmë, jemi të gatshëm, shumë të interesuar që ta vazhdojmë këtë angazhim, pse jo edhe ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehet jo vetëm në aspektin diplomatik,” theksoi Kurti.

Kryeministri është pyetur për bisedën mes Trump dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kush i ka raportet me të mira.

“Unë bëjë raporte zyrtare, shtetërore, politike. Kush i ka raportet më mirë me kënd nuk e di këtë punë.”

Ai shprehu qëndrimin se Kosova do të vazhdojë traditën e bashkëpunimit me SHBA-në, pavarësisht se cila parti është në pushtet në Uashington.

Duke kujtuar historinë e mbështetjes amerikane, Kurti theksoi se kjo marrëdhënie është e palëkundshme.

“Çlirimin e kemi në kohën e presidentit demokrat, pavarësinë e kemi shpallur në kohën e presidentit republikan. Besoj që kjo flet shumë,” tha ai, duke rikujtuar kontributin e figurave të njohura amerikane, si Bob Dole dhe Tom Lantos, në mbështetje të Kosovës që nga fundi i viteve ‘80./Telegrafi/

Exit mobile version