Telegrafi

Kurti: Adresa e njëjtë, por Klinika e Onkologjisë është krejt tjetër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për investimet që janë bërë në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se adresa e klinikës është e njëjtë, por Klinika e Onkologjisë sot është krejt tjetër.

“Ajo është e pajisur me Akseleratorin e gjeneratës së fundit, që krahas trajtimit më të mirë të sëmundjeve, ka eliminuar kohën e pritjes së pacientëve dhe tash të gjithë pacientët mund të marrin trajtim brenda vendit”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Kurti thotë se “Klinika ka sistemin e teknologjisë së fundit laserik C-RAD, i vetmi i teknologjisë së tillë në rajon, përmes së cilit ofrohet siguri maksimale gjatë rrezatimit të pacientëve që i nënshtrohen radioterapisë në këtë klinikë. Për herë të parë, klinika është pajisur me klimatizim dhe digjitalizim të shërbimeve”.

“60 shtretërve modern së shpejti pritet t’i shtohen edhe 50 të tjerë për ta çuar në 110 numrin total të tyre, nga vetëm 45 sa ishin para dy muajve e për shumë vite rresht”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, sipas Kurtit, po ofrohet falas vaksina HPV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës dhe lista e barnave esenciale është zgjeruar për shkak se buxhetin për barna esenciale e kemi rritur për 150%.

“Klinikë pas klinike. Javën tjetër radhën e ka Klinika e Urologjisë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/