Site icon Telegrafi

Kurti: 24 maji 1992, datë kur populli konfirmoi pavarësinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt.

Ai në një postim në Facebook shkruan se zgjedhjet e para parlamentare, organizuar nga Alternativa e pa dhunshme demokratike e kohës, ishin një rast i mirë për pasurimin e arsenalit të metodave të organizimit dhe veprimit politik si dhe konsolidimin e pozitës politike së çështjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

“Këto zgjedhje po hapnin hullinë e asaj që në teorinë e veprimtarisë së pa dhunshme quhet strategjia e pa dhunshme konstruktive – metodat e ndërtimit dhe funksionalizmit institucional edhe në kushte të represionit e okupimit”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

28 vjet nga zgjedhjet e para

Zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt, kurse pjesëmarrësit e saj meritojnë respektin dhe vlerësimin tonë.

Zgjedhjet e para parlamentare, organizuar nga Alternativa e pa dhunshme demokratike e kohës, ishin një rast i mirë për pasurimin e arsenalit të metodave të organizimit dhe veprimit politik si dhe konsolidimin e pozitës politike së çështjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Këto zgjedhje po hapnin hullinë e asaj që në teorinë e veprimtarisë së pa dhunshme quhet strategjia e pa dhunshme konstruktive – metodat e ndërtimit dhe funksionalizmit institucional edhe në kushte të represionit e okupimit.

Organizmi vetanak i zgjedhjeve në kushte te robërisë dhe të shtypjes kishte pjesëmarrje impresive: 766.068 votues brenda vendit dhe 105.300 në mërgatë. Ato ishin sukses në vete dhe nuk mbetën pa jehonë mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

24 maji 1992 është data kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës për herë të parë.

Qytetarët treguan guxim dhe vullnet anembanë Kosovës. Për fat të keq, asokohe nuk vazhdoi procesi i kompletimit dhe funksionalizimit të strukturës së pavarur institucionale të Republikës.

Megjithatë, 24 maji 1992 shënohet si datë kur populli kishte përzgjedhur rezistencën dhe po e konfirmonte pavarësinë. Ai injoronte zgjedhjet e Republikës së Serbisë dhe merrte pjesë masivisht në ato të Republikës së Kosovës, paçka se nën okupim.

Exit mobile version