Site icon Telegrafi

Kurti: 20 vjet pas çlirimit, shteti ynë ka mundësi që të akuzojë, gjykojë e dënojë kriminelët e luftës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale që u miratua sot në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se 20 vjet pas çlirimit, edhe shteti ynë ka mundësi që të akuzojë, gjykojë e dënojë në mungesë kriminelët e luftës.

Kurti në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se tani fjalën e kanë prokurorët specialë Drita Hajdari, Vladet Gashi dhe Enver Krasniqi.

“Tash e kanë fjalën prokurorët specialë Drita Hajdari, Vladet Gashi dhe Enver Krasniqi. Më në fund, 20 vjet pas çlirimit, edhe shteti ynë ka mundësi që të akuzojë, gjykojë e dënojë në mungesë kriminelët e luftës. Plotësim ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale u miratua sot në Kuvendin e Kosovës me 65 vota (me ç’rast tre deputetë ishin kundër dhe dy të tjerë abstenuan).

Paraprakisht kaloi amandamenti për nenin 346 A, i cili ishte formuluar dhe propozuar nga deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu.

Kësisoj Kosova i bashkohet Kroacisë në të drejtën për të përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë e jo vetëm nëse ndodhen në territorin e vendit tonë”, ka shkruar në Facebook, Albin Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version