Site icon Telegrafi

Kurteshi i VV-së: Arrestimi i Gjuriqit, fundi i Ramushit

A

Zhvillimet që ndodhën sot në veri të vendit, të cilat rezultuan me arrestimin e Marko Gjuriqit, deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, i sheh si një “lojë“ të PDK-së dhe LDK-së për rrëzimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjithçka që ndodhi në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit, Kurteshi e quan “shfaqje mediale”, gjatë të cilës, sipas tij, rrezikohet jeta e policëve.

Kurteshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “çdo intervenim i Policisë së Kosovës në format luftarak në pjesën veriore të Mitrovicës çdo 5-6-7 vite, për interesa të ngushta personale të Hashim Thaçit e Kadri Veselit”.

Postimi i plotë i Sami Kurteshit:

“Burgosja e Gjuriqit, fundi i Ramushit!

Loja ldk-pdk për rrëzimin e Ramush Haradinajt realizohet në mënyrë të përsosur me „arrestimin“ e Gjuriqit sot.

Ramush bye-bye nga posti!

Ky është çmimi intervenimit të sotëm të ROSU në Mitrovicë.

Përndryshe, çdo intervenim i Policisë së Kosovës në format luftarak në pjesën veriore të Mitrovicës çdo 5-6-7 vite, për interesa të ngushta personale të Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Askush, e as LVV nuk ka asnjë informatë në lidhje me rastin në fjalë, përveç pamjeve televizive nga kamerat e porositura.

LVV nuk ka asnjë njohuri pse është zgjedhur ky moment për arrestim të funksionarit/ëve serbë pikërisht në këto momente, sot.

Për të hequr vëmendjen e publikut nga cenimi i territorit të Republikës së Kosovës me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi?! Apo për të fshehur rezultatet e pritura të takimeve ilegale Thaçi-Vuçiç!?

Sidoqoftë, LVV është kundër shfaqjeve të tilla mediale ku rrezikohet jeta e policë/eve të Kosovës për teket e Thaçit, Veselit apo edhe kujtdo tjetër. Keqpërdorimi i policisë së Kosovës, i burrave dhe grave të ndershme e të sinqerta, rrezikimi i jetërave të tyre, si në rastin e Enver Zymberit, jo vetëm është e papranueshme, por përbën krim.

Edhe ashtu „Zajednica“ nuk kalon, çoftë edhe duke e rrëzuar qeverinë Haradinaj” (sic.), ka shkruar Kurteshi. /Telegrafi/

Exit mobile version