Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se pronës shtetërore i janë kthyer afro 10 hektarë tokë, që ishin tjetërsuar në afërsi të Kullës së Ministerit në Pejë (Qyshk).
Peci shkruan se “zhvatësit e shoqërisë kosovare, kishin tjetërsuar hapësirën prej 9,6 hektarë”.
“Pronës shtetërore i kthehen afro 10 hektarë të tjerë të tokës së tjetërsuar, në afërsi të Kullës së Ministerit në Pejë (Qyshk). Falsifikatorët, tjetërsuesit dhe zhvatësit e shoqërisë kosovare, kishin tjetërsuar hapësirën prej 9,6 hektarë, duke vazhduar kështu traditën tashmë të njohur të tjetërsimit të pronës shtetërore, në këtë rast tek pjesëtari i komunitetit serb Mitar Blagojevic”, shkruan Peci në Facebook, transmeton Telegrafi.
Tutje, ai thotë se pasi mekanizmat e drejtësisë kanë verifikuar që procesi i bartjes është bërë nga vendime të falsifikuara duke u thirrur në një vendim të vitit 1976, Mitar Blagojevic mes të tjerash ka deklaruar: “Kurrë në jetë nuk kam pas tokë, vetëm kur e pash që mi kanë bartur 10 hektarë”.
“Guximi, parimësia dhe angazhimi ynë për rend, ligj dhe dekriminalizim po sjellin frytet e saja. Vazhdojmë tutje…”, theksohet në njoftim./Telegrafi/