Nga: Elona Caslli
Është kthyer në modë në mediat shqiptare që një situatë private të një njeriu, ta kthejnë në një rrëfim publik. Ngjarja e ndodhur në fshatrat e Librazhdit ku një nuse e re tradhtoi të shoqin në emigracion, u shndërrua në një rrëfim publik – fillimisht nga familjarët e burrit e mandej nga media e kurbanit që është gati të fusë në thertore këdo për një klikim më shumë.
Një ngjarje të një interesi privat, media e shndërron artificialisht në interes publik.
Asokohe nuk jam shprehur për ngjarjen në fjalë se nuk kam qenë në Shqipëri, por po e përmend sot pasi një ngjarje e dytë ka vazhduar zinxhirin e thertores.
Në një nga klubet e natës në Tiranë, xhirohet një video ku një vajzë e futur mes dy djemsh, kërcen. Të dy djemtë e përkëdhelin njëkohësisht. Në video duket qartë që vajza është e shpenguar dhe duket dora në distancë që e xhiron. Kjo video hidhet në TikTok dhe dyert e thertores së mediave hapen. Shfaqet video dhe shpërthen llava e shenjtorëve në Shqipëri, që sigurisht gjuan me gurë veç vajzën dhe shumë rrallë djemtë apo dorën që e ka xhiruar atë video.
Lind pyetja: Para se të kurbanizohet kjo vajzë, a ia bën kush pyetjen vetes se në ç’gjendje mund të ketë qenë?! Mund të ketë qenë e dehur dhe aspak e kthjellët gjatë performancës?! Në video nuk ka asnjë çast që ajo ia kthen sytë videos dhe video është e xhiruar në distancë, çka nënkupton se ajo mund të mos e ketë ditur që dikush po xhironte. Apo është i gjatë ky arsyetim?! I biem më shkurt; i fusim një “e përdalë” mbi kokë dhe e mbyllim hesapin.
Dora që e ka xhiruar atë video dhe dora që e ka shfaqur në TikTok është as më pak e as më shumë se kategoria e një spiuni me një çimkë në duar.
Mediat që e kanë publikuar këtë video, ç’mesazh kanë dashur të përcjellin?! Djem merrni nga një celular në dorë dhe filmoni personazhet më pikantë që ju zë syri në klubet e natës dhe na i sillni t’i publikojmë?!
Një pyetje kisha për mediat: Pse nuk ju bën kaq përshtypje kur pasditeve kërcehet “You can leave your hat on” te “Përputhen” dhe vihet pulla e kuqe në orën gjashtë të pasdites kur të gjithë fëmijët janë zgjuar?!
Pse nuk ju bën kaq përshtypje te “Love Story” ku vajzat presin grafikun për t’u takuar me të njëjtin djalë dhe zhvishen nga dinjiteti i tyre?!
Kur situata e klubit të natës shfaqet në ekrane televizive është histori dashurie. Kur e njëjta situatë shfaqet në një klub nate është e denjë për kurban. Sikur na dalin llogaritë.
Dhe, e fundit – jo për nga rëndësia, por për nga renditja: Kush merr përsipër përgjegjësinë e dëmit psikologjik që mund t’i shkaktohet një vajze apo një gruaje nga i gjithë ky proces?!
Apo e mbyllim me formulën: Vetë deshi – dhe presim kurbanin e radhës?!
Një situatë private nuk mund të kthehet në rrëfim publik, për sa kohë nuk prek taksat dhe interesat e drejtpërdrejta të shqiptarëve.
Post Scriptum: Reflektoni pronarë portalesh dhe mjaft e shndërruat privaten në publike!