Site icon Telegrafi

Kurban Bajrami në Shqipëri, të rinjtë apelohen të mos ikin nga vendi

Mijëra besimtarë myslimanë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe të gjitha sheshet e xhamitë e vendit për faljen e Kurban Bajramit.

Programi i Kurban Bajramit në Tiranë filloi që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut, për të vijuar më pas me këndimin e një pjese nga Kurani Famëlartë, të cilën e përcolli për besimtarët e pranishëm hafizi Enes Hyka.

Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të shumta urimi e solidariteti.

Spahu i bëri thirrje besimtarëve që kush ka mundësi të bëjë Kurban, ndërsa një thirrje e kishte edhe për të rinjtë kur u bëri apel që të mos e braktisin vendin.

“Kjo ditë është dita kur duhet të jemi të njerëzishëm me njëri-tjetrin. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë për atë që e çmon nderin e tij. Zbutni zemrat me njëri-tjetrin, ruani veten nga ligësitë dhe padrejtësitë, mos u bëni lakmitarë. Kam një apel për rininë: Pajisuni me moral të bukur, kthejini sytë nga Zoti, rrini larg tundimeve të kota. Mos ikni nga vendi, projektojeni të ardhmen këtu, në vendin tuaj”, tha kreu i KMSH. /kp/

Exit mobile version