Telegrafi

Kuratorja e “Sundance Film Festival”, Kim Yutani: Të mos e harrojmë “Zgjoin” për “Oscars”

Këtë javë, saktësisht ditën e enjte (27 janar) ka nisur procesi i votimit të anëtarëve të jurisë për çmimin e Akademisë së Filmit, “Oscars 2022”.

Siç kemi theksuar, Kosova për herë të parë është futur në listën e ngushtë të pretendentëve për t’u nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar” me filmin “Zgjoi”.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kuratorja e programit të filmave në “Sundance Film Festival”, Kim Yutani, e cila i ka dalë në përkrahje kandidatit të Kosovës për “Oscars 2022”.

“Të mos e harrojmë ‘Zgjoin’”, ka shkruar ajo duke treguar se filmi vitin e kaluar ka fituar disa çmime në “Sundance Film Festival”.

Yutani kishte shpërndarë po ashtu postimin e “Zeitgeist Film”, rrjet që ka të drejtat për shpërndarje të filmit në kinema.

Lexo po ashtu Kush është krijuesi i posterave të filmave kosovarë që pushtuan botën?

Aty shkruan se “Zgjoi” vitin e kaluar bëri histori duke marrë tri çmimet kryesore në kategorinë “World Cinema”. Ishte fitues i çmimit për ‘regjinë më të mirë’ dhe mori edhe ‘çmimin e jurisë’ e atë të ‘audiencës’.

Kim Yutani (Foto: Twitter)

Procesi i votimit ndryshe do të përfundojë më 1 shkurt, ndërsa më 8 shkurt do të bëhet e ditur lista finale e nominimeve. /Telegrafi/