Një grafik i publikuar së fundmi zbulon shtatë vendet më të populluara dhe popullsinë e tyre çdo vit midis 1975 dhe 2100.
Nga këto të dhëna mund të gjurmojmë se kur ato do të arrijnë kulmin e popullsisë.
Bëhet e ditur se të dhënat janë marrë nga Perspektivat e Popullsisë Botërore të OKB-së, botuar në vitin 2024.
Është e rëndësishme të mbani mend se këto janë parashikime të bazuara në modelet aktuale të fertilitetit, vdekshmërisë dhe migrimit.
Faktorët si lufta, sëmundjet dhe uria nuk llogariten, as ndryshimet e papritura në perspektivat socio-ekonomike që mund të ndikojnë në normat e lindjeve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Pra, kush po rritet akoma?
Nga shtatë vendet më të populluara në botë, Kina tashmë ka arritur kulmin e popullsisë në vitin 2021.
Vende të tjera, veçanërisht Brazili, Indonezia dhe India, janë në rrugën për të arritur majat e tyre brenda 2-4 dekadave të ardhshme.
Ndërkohë, SHBA, Pakistani dhe Nigeria do të vazhdojnë të rriten ngadalë pas vitit 2100.
Raportohet se nga të tre vendet, vlerësimet aktuale i vendosin nivelet e lindshmërisë së Nigerisë dhe Pakistanit mbi shkallën e zëvendësimit të popullsisë deri në vitet 2080.
Shkalla e fertilitetit është numri mesatar i fëmijëve që një grua do të ketë gjatë jetës së saj. Ndërsa shkalla e zëvendësimit është numri i fëmijëve të lindur për grua, në të cilin nivelet e popullsisë mbeten të qëndrueshme.
Kjo metrikë tregon se popullsia e Pakistanit dhe Nigerisë ka të ngjarë të rritet për mjaft kohë, pa llogaritur migrimin.
Nga ana tjetër, shkalla e fertilitetit në SHBA është tashmë nën normën e zëvendësimit.
Kjo zakonisht tregon se popullsia duhet të bjerë, por imigrimi në vend ka nxitur prej kohësh rritjen e popullsisë dhe kjo prirje ka të ngjarë të kompensojë rënie të tjera. /Telegrafi/