Shkencëtarët kanë konstatuar që gjumi i cili zgjat 9 orë e 10 minuta ka efekt optimal në dukjen fizike
Lëkurën e bën më të shkëlqyeshme, sytë janë më pak të turbullt, ndërsa teni me kalimin e kohës bëhet më i shkëlqyeshëm, transmeton Telegrafi.
Nëse dëshironi që shkuarja për të fjetur gjumë të ketë efekte maksimale të“gjumit të mirë”, koha optimale për të shkuar në shtrat është në orën 21:45, ndërkaq zgjimi më i mirë në orën 6:55.
Pra, efekti më i mirë për dukjen tuaj fizike do të ketë gjumë mesatar prej 9 orësh e 10 minuta.
E kanë përcaktuar këtë shkencëtarët britanikë, në bazë të hulumtimit mbi efektet e gjatësisë së gjumit në dukjen fizike, të cilin e kanë bërë për kompaninë britanike “Sealy UK”, e cila merret me prodhimin dhe shitjen e krevateve.
Te të intervistuarit të cilët kanë fjetur 9 orë e 10 minuta është vërejtur që lëkura u është më e shkëlqyeshme dhe që kanë shikim më të kthjellët dhe përgjithësisht ten më të bukur.
Edhe pse koha e shkuarjes në krevat shumë më herët sesa ajo me të cilën shumica e njerëzve të rritur janë mësuar, eksperti i gjumit, Neil Robinson, thotë se shumica shpenzojnë shumë para për t’u dukur dhe ndier mirë, ndërkaq harrojnë që gjumi cilësor i natës bën çudira për dukjen tonë të përgjithshme.
“Me atë rast duhet marrë parasysh edhe cilësinë e gjumit dhe të bëhet çdo gjë që është e mundshme në mënyrë që të krijohet ambienti në të cilin mund të flini këndshëm dhe qetë”, ka theksuar Robinson për gazetën britanike “Mirror”. /Telegrafi/