Telegrafi

Kur do të mbahet funerali i Tina Turner dhe cilat janë planet?

Foto: Reuters

Fansat dhe miqtë po vazhdojnë të mblidhen në shtëpinë e Tina Turner në Zvicër ku ajo ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë të mërkurën.

Dymbëdhjetë herë fituesja e çmimit “Grammy”, e cila bëri një rikthim historik në vitet 1980 pasi la burrin e saj abuziv dhe partnerin muzikor Ike Turner, vdiq nga shkaqe natyrale.

Ndërsa detajet e sakta se kur dhe ku do të mbahet funerali i saj nuk janë bërë publike, një zëdhënës i “Queen of Rock” tha se ceremonia do të jetë private me të pranishëm vetëm miqtë dhe të afërmit më të ngushtë të legjendës.

“Do të ketë një ceremoni private funerali ku do të marrin pjesë miqtë dhe familjarët e ngushtë”, thuhet në deklaratë.

Në kujtimet e saj të vitit 2018 të titulluar “My Love Story”, këngëtarja ndau se kishte vuajtur nga presioni i lartë i gjakut për shumë vite, duke u diagnostikuar në vitin 1978 me këtë gjendje.

Lexo po ashtu Përpara vdekjes - Tina Turner thuhet se shiti një katalog për afro 50 milionë euro

Ndërsa ajo filloi të merrte një pilulë një herë në ditë në vitin 1985, mungesa e trajtimit të mëparshëm kishte dëmtuar veshkat dhe zemrën e saj.

Ajo pësoi një goditje në tetor 2013. Kjo ndodhi vetëm tre javë pasi ajo u martua me partnerin e saj prej kohësh Erwin Bach, një ekzekutiv muzikor gjerman.

Ajo goditja në kokë e la atë të paaftë për të ecur dhe kishte frikë se nuk mund të vishte më kurrë taka të larta, e lëre më të kërcente me to.

Megjithatë, ajo përfundimisht rifitoi lëvizshmërinë pas një qëndrimi në spital.

Menjëherë pas kësaj, mjekët zbuluan se funksioni i saj i veshkave po përkeqësohej. Më në fund, ajo iu nënshtrua dializës në mënyrë që të bëhej gati për një transplant. Megjithatë, tre vjet pas goditjes së saj në tru, ajo u diagnostikua me kancer në zorrë. Për fat të mirë, mjekët ishin në gjendje të hiqnin kancerin nga zorrët e saj.

Por transplantimi i veshkës duhej të vonohej dhe në të njëjtën kohë ajo vendosi të mos ndiqte trajtimin e zakonshëm mjekësor. Kjo vetëm sa ia acaroi problemet me veshkën dhe në vitin 2017 ajo iu nënshtrua një operacioni për ta zëvendësuar, donator ishte bashkëshorti i saj Ervini.

Përveç sëmundjeve fizike, Tina Turner vuante edhe nga sëmundje mendore.

Marrëdhënia abuzive me bashkëshortin e saj të parë Ike Turner e la atë me PSTD, siç tha në dokumentarin e saj të vitit 2021 “Tina”.

Gjatë lidhjes së tyre, ajo tentoi edhe vetëvrasjen një herë në vitin 1968. /Telegrafi/