Ndryshimet në lëkurë janë shpesh shenja e parë e problemeve me organet e brendshme
Mëlçia luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e trupit, që nga mënyra se si trupi ynë e tret ushqimin, deri në nxjerrjen e toksinave.
Ne e quajmë atë një pastrues, jo pa ndonjë arsye, transmeton Telegrafi.
Te personat që kanë sëmundje të mëlçisë, funksioni i saj është i dëmtuar, që do të thotë se nuk funksionon siç duhet dhe pasojat mund të jenë cirroza, madje edhe dështimi i këtij organi.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të vini re në kohë simptomat e para që mëlçia juaj nuk funksionon siç duhet.
Edhe pse lidhja mes shëndetit të mëlçisë dhe lëkurës mund të mos jetë e dukshme, ekspertët thonë se lezionet në organin më të madh në trupin e njeriut janë shpesh shenja e parë e problemeve me organet e brendshme.
“Ndryshimet e lëkurës mund të jenë shenja e parë e sëmundjes së mëlçisë. Njohja e këtyre shenjave është çelësi për diagnozën e hershme”, thuhet në një studim të Cleveland Clinic.
Ndryshimet e lëkurës janë çuditërisht të zakonshme te njerëzit me sëmundje të mëlçisë, pothuajse gjysma i kanë ato. Pra, 43 për qind e njerëzve me cirrozë alkoolike kanë lezione të lëkurës.
Ekspertët bëjnë dallimin midis këtyre lezioneve dhe të ashtuquajturave njolla të Byrosë. Këto janë njolla të vogla të hipopigmentuara me formë të çrregullt në krahë dhe këmbë. Me siguri deri tani i keni parë shpesh në duart tuaja, duke ju kujtuar “vijat” në lëkurë nga të ftohtit. Kur i shtypni ato zhduken, sepse ky çrregullim nuk ndikon drejtpërdrejt në pigmentim.
Njollat e tilla, janë ndoshta pasojë e inflamacionit të lëkurës dhe venave, gjë që çon në qarkullim të dëmtuar. Ndërsa sëmundja e mëlçisë mund të shfaqet në formën e ndryshimeve të tilla të lëkurës, ekspertët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) vërejnë se shumë raste janë idiopatike, që do të thotë se shkaku themelor është i panjohur. Në raste të rralla, ato janë pjesë e një sëmundjeje sistemike.
/Telegrafi/