Janë bërë një vit që kur Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian (BE), dhe e gjithë kjo pas zhvillimeve që kishin ndodhur në komunat veriore.
Edhe pse institucionet e Kosovës përmbushën obligimet që u kërkuan nga ndërkombëtarët përmes marrëveshjes së Bratisllavës, nga BE-ja thonë se ende nuk ka një datë të saktë se kur pritet të largohen këto masa.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk është dorëzuar raporti mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova.
Siç theksoi ai raporti është ende në finalizim dhe së shpejti do t’u paraqitet shteteve Anëtare në Këshill.
“Në konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023. Këshilli ftoi përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell që të prezantojë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së”, tha Stano.
Ndryshe, vendimi për masa është marrë mbi arsyetimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit të kaluar.
Hollësitë mbi masat nuk janë bërë të ditura as kur janë komunikuar ato. Në fakt, diçka e tillë nuk është e zakonshme për BE-në.
Shembull, kur BE-ja ka marrë vendim për të sanksionuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, më 2022, Komisioni Evropian ka votuar për to, si dhe ka votuar, e do të votojë çdo vit, për shtyrjen e tyre.
Në vendim përmendet me emër secili individ dhe entitet i prekur rus.
Në rastin e Kosovës, për masat nuk është votuar – me arsyetimin se janë të përkohshme – vetëm është thënë se Komisioni Evropian është përgjegjës për to, dhe rrjedhimisht janë pa ndonjë afat. /Telegrafi/