Site icon Telegrafi

Kur njerëzit janë të njëjtë

‘Kështjella e Bardhë’ (Beyaz Kale), romani i tretë me radhë i nobelistit Orhan Pamuk, është botuar më 1985. Në shqip është përkthyer dhe botuar në vitin 2008, nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”.

Narrativa e romanit shprehet në nivele të ndryshme diegjetike duke e pasur pasigurinë në qendër dhe si fuqi shtytëse. Niveli kryesor ndërtohet rreth faktit të ngjashmërisë fizike të dy personazheve që kanë mes veti. Fjala është për venedikasin i cili zihet rob nga otomanët dhe përfundon si skllav, e më vonë edhe mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor shkencor i profesorit otoman në Stamboll. Që të dy janë shkencëtarë dhe angazhohen në projekte zbuluese shkencore, por autori nuk jep emrat e tyre. Projekti i tyre kryesor është një armë e karakterit të fantashkencës dhe si e tillë përfundon me dështim.

Gjatë tërë ngjarjes, dy personazhet angazhohen në një proces të gjatë kohor të zbulimit të karakterit të njeri-tjetrit dhe njëkohësisht, duke iu përgjigjur pyetjes ‘kush jam unë’? Kështu futen në rrugën e pafund të njohjes së vetes së tyre. Nga zhvillimi i ngjarjes, që bëhet nën një imagjinatë mbresëlënëse të autorit, personazhet shpesh paraqiten të njësuar apo sikur të ishte vetëm një prej tyre.

Shumica e kritikëve të këtij romani kanë bërë me dije se Orhan Pamuk me këtë vepër tenton të paraqes pamjen e dy botëve të atëhershme (shek. XVII) të Lindjes dhe Perëndimit apo Islamit dhe Krishterimit. Pra, është periudha kur Perandoria Otomane përjeton kulmin e saj dhe është superfuqi, kurse Stambolli qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Këtu kemi takimin e një shkencëtari venedikas me atë stambollas në kohën kur astrologjia dhe astronomia nuk janë dalluar. Pra, astrologu ka qenë edhe astronom apo shkencëtar dhe fallxhor. Në fillim që të dy pretendojnë të jenë shkencëtarë, si çdo i ri, por dikur edhe bëhen, deri-diku. Rruga e tyre patjetër që ndeshet me pushtetin dhe shkon nëpër oborrin e pallatit perandorak apo pushtetin e sulltanit. Është koha kur shkencëtari duhet të jetë edhe interpretues i ëndërrave apo shenjave që i dëftohen sulltanit.

Me jetën e tyre të përbashkët që zgjatë më shumë se dy dekada, këto dy personazhe bëhen të padallueshëm edhe nga mentaliteti dhe shprehitë që imponon jeta nën kushte të njëjta. Nga një fushatë ushtarake otomane në Poloni, profesori otoman largohet (dezerton) nga kampi dhe shkon në Venedik për të zënë vendin e ish-skllavit të tij venedikas. Venedikasi, përkundër dëshirës së vazhdueshme për t’u kthyer në shtëpi, mbetet për të jetuar rehat në Stamboll. Ndoshta autori këtu dëshiron të na tregojë se njerëzit adaptohen me jetën dhe me kalimin e kohës ndjehen kudo komod. Prandaj, ata mund ta zëvendësojnë njëri tjetrin pasi që janë njësoj.

Në fund të romanit, Orhan Pamuk ka bërë një sqarim në lidhje me atë se si e ka shkruar këtë vepër dhe cili ka qenë qëllimi. Ai e ka mohuar atë që është thënë se qëllimi ka qenë që të paraqiten dallimet e dy botëve apo të dy kulturave. Pamuk e mohon këtë gjë për arsye se nuk beson në një ndarje të këtillë të njerëzimit. Por, ai nuk mund ta mohojë faktin se dy personazhet, pa marrë parasysh origjinën, vendbanimin gjeografik dhe kulturor, janë të njëjtë, jo vetëm fizikisht, por edhe në aspekte tjera, sidomos nëse merren me punë intelektuale apo shkencore.

Pamuk më tutje thekson se pjesa dërrmuese e romanit bazohet në episode që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore dhe të cilat janë shënuar në analet e historisë, siç është rasti i ekzekutimit spektakolar të programit të fishekzjarrëve në Stamboll me rastin e shënimit të festave të sulltanit apo fitoreve otomane. Madje, ai në roman e përfshinë edhe angazhimin e Evlia Qelebiut, i cili në shënimet e tija ka lënë dëshmi interesante.

Nëse Pamuk pretendon që është bazuar në episode që kanë ndodhur, atëherë duhet bërë me dije se një të tillë ai e injoron. Këtu kemi të bëjmë me rastin e murtajës që e përfshin Stambollin dhe e cila gjë sot është aktuale në botë me koronavirusin. Askush në Stamboll, pos shkencëtarit venedikas, nuk beson se murtaja është ngjitëse dhe shpërndahet me anë të virusit. Nuk beson as shkencëtari, profesori apo zotëria i tij. Të gjithë besojnë se murtaja është rezultat i dënimit që vjen nga Zoti dhe vjen në formë të njeriut. Në realitet, në Lindje, që nga shek. XI është ditur që kjo sëmundje është ngjitëse dhe shpërndahet me anë të virusit. Në botën intelektuale otomane, veçanërisht në Stamboll, ka ekzistuar libri mjekësor enciklopedik (Al Kanun), i botuar disa herë pas botimit të parë më 1025, autor i të cilit është Avicenna apo Ibn Sina (980-1037).

Sidoqoftë, kjo nuk është diçka që Pamuk nuk e ka ditur. Por, romani është imagjinatë dhe kjo gjë është e lejueshme. Përndryshe, nuk do t’i lejohej venedikasit shumë vend për të vepruar në roman.

Exit mobile version