Site icon Telegrafi

Kur Mustafa takon Merkelin në Berlin, vëllai i tij me probleme shëndetësore priste përgjigjen për azil në Gjermani (Foto/Video)

Njëri prej dy vëllezërve të kryeministrit Isa Mustafa ka kërkuar azil në dy shtete të Bashkimit Evropian: Francë dhe Gjermani. Të dyja shtetet ia kanë refuzuar kërkesën .

Ragip Mustafa kishte migruar me valën e refugjatëve për shkaqe shëndetësore. Kërkonte të operohej në zemër. Ai kishte hyrë ilegalisht, derisa Isa po vizitonte Berlinin, për herë të parë në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Nikoqirja gjermane, Angela Merkel, ia kishte bërë të qartë Isa Mustafës se azilkërkuesit kosovarë nuk kanë shanse për azil në Gjermani. Kjo e prekte direkt vëllain e Mustafës që po kërkonte azil për shkaqe shëndetësore. Kështu, ai është detyruar që pas disa ditësh të largohet nga Gjermania.

Mustafa, gjatë takimit me Merkel, zotohej për kushte të mira për të gjithë qytetarët e vendit. Megjithatë, kushtet prej atëherë nuk janë përmirësuar. Veçanërisht sistemi shëndetësor. Pacientët me sëmundje të rënda vazhdojnë të kërkojnë ndihmë financiare nga qytetarët vullnetmirë pasi që shteti nuk ia ofron mundësinë për shërim jashtë vendit.

Vëllai i kryeministrit Isa Mustafa ka migruar vitin e kaluar ilegalisht nëpërmjet Serbisë, për të hyrë në Hungari, në shtetin e parë të BE-së. Ai kishte shkuar në Francë ku kishte kërkuar azil për shkak të problemeve shëndetësore. Shteti francez ia kishte refuzuar kërkesën.

Ai pastaj ka shkuar në Gjermani. Edhe shteti gjerman ia ka refuzuar kërkesën, sepse sipas rregullave të BE-së, kur një shtet anëtar i refuzon dikujt kërkesën për azil, kjo vlen për të gjitha shtetet tjera. Ndaj, Gjermania i kishte thënë se duhej të kthehej në Francë.

Insajderi ka siguruar aplikacionin e Mustafës për azil në Gjermani. Në të jepen të dhëna të shumta për të, për kohën kur ka hyrë në shtetin gjerman, rrugën që ka bërë etj.

Mustafa (1958), aplikimin për azil e ka bërë në qytetin Rheinland Pfalz në Gjermani, më 22 qershor 2015. Burime nga qendra për azil i kanë treguar Insajderit se Ragip Mustafa kishte treguar se është vëllai i kryeministrit të Kosovës dhe se për shkak të gjendjes shëndetësore, Ragip Mustafa ishte shtrirë në spitalin Charité në Berlin ku Kishte qëndruar dy ditë. Pas trajtimit, ai duhej të kthehej në Trier të Francës.

“Nuk e kemi parë më. Vetëm është zhdukur. Thuhej se ishte transferuar në Francë”, kanë thënë burime.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë aplikimin për azil të vëllait të tij. Zyra e kryeministrit për më shumë se tri javë nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit.

Por, burime nga Qeveria kanë thënë se vendimin për të mos u përgjigjur kryeministri Mustafa e ka marrë pasi që vajza e Ragip Mustafës ka mohuar se i ati i saj kishte kërkuar azil në Gjermani. Ajo i ka thënë kryeministrit se babai i saj, Ragipi, ka qenë vetëm deri në Hungari.

Insajderi nuk ka mundur të flas me Ragip Mustafën për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai është kthyer tashmë në Kosovë. Me gjithë përpjekjet, ai nuk ka mundur të operohet jashtë vendit siç kishte bërë vëllai i tij (në vitin 2010 Mustafa ishte operuar në një spital modern në Belgjikë). /Insajderi.com/

Exit mobile version