Nga: Elona Caslli
Kushdo që ka takuar fëmijën e një miku a mikeshe për herë të parë ka vënë re ndrojtjen e fëmijës në çastin e parë.
Fëmijës i është dashur pak kohë sa të familjarizohet me figurën e të rriturit që po e sheh për herë të parë e në fund të takimit që mund të ketë zgjatur gjatë, fëmija mund të arrijë të shkëmbejë një përshëndetje të ngrohtë me të rriturin. Pra, çdo fëmije i duhet një kohë e caktuar të familjarizohet me figurën e një të rrituri që e sheh për herë të parë dhe ky proces është krejt i natyrshëm dhe krejt i shëndetshëm dhe aspak artificial.
Në Shqipëri jemi përballur shpesh me fotografi të ambasadores amerikane, deputetëve, kryeministrit a kryebashkiakut që përqafojnë e puthin fëmijë brenda një procesi krejt artificial.
Është një proces artificial sepse një fëmijë nuk i di domethënien e ambasadores, deputetes, kryebashkiakut apo kryeministrit. Nuk i lë askush kohën të familjarizohet me figurën e tyre. Thjesht ky fëmijë stërvitet paraprakisht mendërisht që kur figurat në fjalë të shfaqen ai t’i përqafojë.
Si ndodh proces i stërvitjes paraprake?!
Qoftë edukatori, qoftë mësuesja apo qoftë prindi kanë një ndikim të caktuar tek çdo fëmijë, pasi shihen nga ky i fundit si autoritet. Jam krejt e bindur dhe nuk kam kurrfarë dyshimi se në rastin ambasadores amerikane edukatorja u ka folur fëmijëve gjatë para se ambasadorja të shfaqej; që fëmijët duhet të ishin të dashur me të dhe ta përqafonin. Në rast të kundërt, nuk do të ishte aspak e natyrshme që fëmijët të rrethonin me përqafime një njeri që e shohin për herë të parë, qoftë kjo ambasadorja e Shteteve të Bashkuara.
E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e deputetes, kryebashkiakut apo kryeministrit. Janë prindërit që parapërgatitin fëmijët për shfaqje artificiale dashurie duke i thënë se duhet të sillen shumë mirë dhe ta përqafojnë mysafirin/en që do të vijë në shtëpi. Në rast të kundërt, fëmijëve nuk do t’u vinte aspak natyrshëm të përqafonin një të panjohur, qoftë kjo Elisa Spiropali, qoftë ky Erion Veliaj apo Edi Rama.
Por pse u intereson kaq shumë, fotografia me fëmijët këtyre figurave?!
Pranë një fëmije, figura e një të rrituri bëhet më e pranueshme. Edhe egërsira më e madhe kur shfaqet pranë një fëmije, të krijon përshtypjen e një qenieje të zbutur dhe zemërgjerë.
Figurat e përmendura më lart, teksa pozojnë pranë fëmijëve duan të krijojnë iluzionin e dhembshurisë në popull. Iluzionin se ata i duan fëmijët e njerëzve të thjeshtë dhe i përqafojnë si të ishin fëmijët e tyre. Iluzioni i dhembshurisë u mundëson që për një çast të përfitojnë një amnesti në sytë e publikut për gjithçka kanë bërë. Sa më të dendura fotot me fëmijë aq më shumë çaste amnestie.
Kjo është një hipokrizi e frikshme dhe krejt e dënueshme, sikundër është i trishtë fakti se prindërit nuk e kuptojnë se fëmijët e tyre po përdoren keq, por përkundrazi i gëzohen faktit se fëmijët e tyre po dalin në rrjete sociale me ambasadoren, kryeministrin, deputeten, apo kryeministrin.
Fëmijët janë thjesht një çast amnistie për të rriturit.