Atletët etiopianë kanë dominuar në maratonën (vrapim 42 kilometra e 195 metra) e Bostonit të hënën, duke zënë tri vendet e para në konkurrencën e meshkujve dhe dy në të femrave.
Lemi Berhanu Hayle ka fituar garën e meshkujve pas një shpërthimi në fund, duke mposhtur kampionin në fuqi Lelisa Desisa. Ai përfundoi garën me kohë 2:12.54 orë. Ndërkohë në konkurrencën e femrave, Atsede Baysa fitoi garën me kohë 2:29.19 orë dhe triumfoi para Tirfi Tsegayes, përcjell Koha Ditore.
Kjo ishte maratona e tretë e Bostonit që kur vëllezërit çeçenë bënë sulme me bombë duke lënë të vdekur tre persona dhe më tepër se 260 të lënduar. Shumica e maratonistëve të SHBA-së vendosën të heqin dorë nga pjesëmarrja në Boston për të stërvitur për Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro në gusht.
Por, Etiopia dhe Kenia ende nuk kanë zgjedhur skuadrën olimpike në maratonë dhe gara e Bostonit do t’u shërbejë shumë për të bërë zgjedhjen e duhur të atletëve.