Telegrafi

Kur dilerët e drogës në Spanjë luajnë rolin e babadimrit, fituesve të lotarisë së Krishtlindjeve u ofrohej shporta me lloje të ndryshme të drogës

Dy dilerë spanjoll të drogës u arrestuan pasi planifikonin të organizonin lotarinë e Krishtlindjeve – duke ofruar në formë dhurate shporta me kokainë, hashash e alkool, e siç e do tradita edhe mish të tharë, ka njoftuar sot policia e atjeshme.

Policët gjatë bastisjeve të shtëpive të dilerëve të drogës në lindje të Spanjës, gjetën posterin me paralajmërimin e lotarisë me çmimin “narko-shportat”, transmeton Telegrafi.

Gjatë aksionit policorë, janë zbuluar 165 bimë të marihuanës, si dhe sasi të konsiderueshme të kokainës dhe hashashit.

Policia në këtë aksion hasi në diçka që deri më tani nuk ka hasur – kalendarin me planin e lotarisë, emrat e klientëve që blenë tiketat për lotarinë e Krishtlindjeve që kapnin vlerën prej 5 deri në 10 euro – e tërheqja e tiketave fituese ishte paraparë të ndodh gjatë 22 dhjetorit dhe më 6 janar.

Shporta fituese është dashur të përmbajë kokainë, hashash, cigare, alkool dhe para (kesh) dhe 8 kilogramë mish të thatë.

Të arrestuarit janë një spanjoll dhe një shtetas argjentinas. Ndryshe në Spanjë është traditë që në fund të vitit të dhurohen shportat me verë, mish dhe ëmbëlsira. /Telegrafi/