Site icon Telegrafi

Kur Churchilli e ndihmoi Zogun, në gjyqin për një çift qensh

Nga: Erald Kapri (Pjesë e shkëputur nga “Lufta e Panjohur e Mbretit Zog”)

Me një njohje gjysmë zyrtare dhe pa imunitet diplomatik, Zogu nuk i shpëtoi dot disa telasheve në Angli. Njëri prej këtyre telasheve, në veçanti, shkoi deri tek kryeministri i Britanisë, Winston Churchill, dhe kjo e gjitha, për një çift qensh.

Çatin Saraçi ishte ish-nëpunës i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, i cili gjatë gjithë mbretërimit të Zogut shërbeu në disa ambasada. Marrëdhënia e tij me Zogun ka qenë më shumë se e ngushtë.

Më herët, Zogu kishte financuar studimet e tij dhe gjatë jetës si diplomat në vendet perëndimore, Saraçi siguronte ndonjë shërbim të veçantë për Mbretin. Me fillimin e luftës, Saraçi mbeti rrugëve, edhe pse fillimisht iu “vardis” italianëve dhe kërkoi nga Zogu ndonjë përfillje, i cili mesa duket nuk mbeti i kënaqur.

Por, problemet mes të dyve nisën në tetor 1939, kur Çatini vizitoi Zogun në Francë dhe pas kësaj vizite u arrestua nga Policia Franceze. Siç tregon Gjenco Naçi, Zogu ndërhyri që ai të lirohet, por Çatini besonte se u arrestua me kërkesën e tij, e më pas bëri çdo gjë të mundshme ta diskreditonte. Aq i fortë u bë ky mllef, sa Çatin Saraçi shkroi kujtime duke nxjerrë çdo të “palarë” që ai dinte apo pretendonte ndaj Zogut.

Me të mbërritur në Angli, Çatin Saraçi kërcënoi se do t’i hapte një gjyq Zogut ku ankohej se i detyrohej 500 sterlina, për një shërbim të kryer ende të papaguar, sipas tij. Bëhej fjalë për çift qensh, që Zogu i pat’ kërkuar dhe Çatini ia kishte siguruar. U fut mik gjithë komuniteti i shqiptarëve ta ndalonte, por më kot…

Përkundër këshillës së të vetëve, Zogu kërkoi t’i shkojë gjyqit deri në fund, gjë që e komplikoi çështjen së tepërmi, duke përfshirë median, Gjykatën e Lartë Britanike, Ministrinë e Jashtme, e madje vetë Winston Churchill, për të dhënë një qëndrim nëse Zogu gëzon imunitet diplomatik, që mund ta imunizonte nga sistemi gjyqësor. Imunitet nuk iu dha dhe gjyqi e diskreditoi.

Monarku i një vendi që përfundon në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe për një çift qensh!

Në fakt, Çatin Saraçi ishte paguar nga fondi sekret i Ministrisë së Brendshme Shqiptare për qentë e blerë për Zogun, por siç Naçi shënon, ec t’i mbushje mendjen gjyqtarit anglez se kush kishte të drejtë.

“Me gjithë këtë, për t’i shmangur gjyqet, këshillova Mbretin të paguaje dhe një herë. Gjithë shqiptarët e Londrës pa përjashtim ndërmjetësuan për këtë punë midis mbretit dhe Saraçit. Unë vetëm nuk e takova kurrë zotërinë e tij në Londër. Por, mbreti nuk donte të paguajë dhe z. Saraçi nxori padinë”, kujton Naçi.

Me marrjen e padisë, Gjykata i drejtohet me një shkresë Ministrisë së Jashtme për t’i paraqitur një certifikatë mbi statusin legal të Mbretit Zog. Por, këtu nisi problemi…

Zogu nuk njihej zyrtarisht dhe dhënia e një certifikate në statusin e një personi privat në Britaninë e Madhe, nuk e imunizonte nga kjo padi denigruese. Zyrtarët britanikë ishin të vetëdijshëm se kjo do të sillte pasoja për Zogun, dhe madje privatisht ata menduan që t’i sugjeronin Gjykatës që kësaj çështje të mos i shkonte deri në fund.

Në këtë pikë, Zogu ndërhyri serish në Ministrinë e Jashtme britanike përmes të zakonshmit Andrey Ryan. Ryan i tha se qeveria s’mund të ndërhyjë dhe se ai konsiderohet si person privat. “I shpreha keqardhjen që një shejtan famëkeq si Çatin Saraçi e çoi në këtë pozicion për shkak se përfiton nga liria në Britani”, raportoi Ryan.

Por, zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme sërish nuk u bënte dora që të lëshonin një certifikatë ku informonin Gjykatën se Zogu nuk ka imunitet diplomatik. Në këto kushte, numri dy i Ministrisë së Jashtme u këshillua me kryeministrin Churchill, që mesa duket i shpjegoi situatën, por nuk u bë lëshim.

Mund të imagjinohet skena, numri dy i diplomacisë britanike që takohet me Churchillin, i shpjegon se Mbreti Zog ndodhet në telashe për një çift qensh. Sekretarit të Gjykatës së Lartë iu çua kjo shkresë: “Me direktivën e z. Churchill, kam nderin që t’u vërtetoj se ai nuk është në dijeni të asnjë rrethane, që Madhëria e tij, Mbreti Zog, të mund të pretendojë imunitet nga juridiksioni i gjykatave britanike”.

Churchilli s’mund të bënte asnjë kompromis që mund të sillte më vonë ndonjë precedent të padëshirueshëm, por burokratët e bënë një lëvizje, me siguri me kërkesën e Churchillit. Autoritetet e Ministrisë së Jashtme i nisën një tjetër letër Sekretarit të Gjykatës së Lartë, ku i kërkuan një lloj lëshimi, duke i shpjeguar pa doreza çështjen e koklavitur politike.

“Në ndjejmë nga pikëpamjet politike se do të ishte e dëshirueshme që çështja e hapur tashmë në Gjykatën e Lartë ndaj Mbretit Zog, duhet, nëse ka mundësi, të mbyllet sa pa nisur akoma. Paditësi, Çatin Saraçi, një ish-anëtar i Legatës Shqiptare në Britani, i cili për disa këto ishte i ngarkuar edhe me punë edhe nga Italia pas aneksimit të Shqipërisë, është i njohur nga ne si mashtrues famëkeq. Ne dimë, nuk dyshojmë, se ai nuk është asgjë më shumë se një shantazhues. Ne e kuptojmë që pretendimi vjen nga Britania për dy qen të blerë disa vite më parë me kërkesën e Mbretit, por Saraçi, jo vetëm që është paguar për ata qen, por ka marrë edhe shpërblim financiar për këtë çështje. Mbreti Zog është zemërgjerë më shërbyesit e tij. Pavarësisht se vlerësojmë vështirësitë, këto janë arsye të mira për të mos e parë Mbretin Zog të vuajë nga sulme që prekin dinjitetin e tij dhe nëse do të ishte e nevojshme për ta ndalur këtë paditës, ne do ta mirëprisnim. Arsyeja kryesore është se Mbeti Zog mund të na shërbejë në një të ardhme ndaj dhe jemi veçanërisht në ankth që kjo mundësi të mos komprometohet në asnjë mënyrë, dhe për shkakun se është paditur në gjykatën e këtij vendi nga një ish-person i vetë”, thuhej në letër.

Letra duket se pati sukses pasi Gjykata e Lartë Britanike nuk e çoi më tej çështjen, por dëmi u bë.

Certifikata ku përmendej emri i Churchillit u bë publike dhe kjo ishte një goditje e madhe politike për Zogun, që kryeministri britanik e shihte atë si një qytetar privat. Siç kujton Naçi, ky gjyq dëmtoi çështjen kombëtare dhe u prit si një bombë nga Zogu. Publikimi i saj goditi rëndë reputacionin e Mbretit Zogut dhe veçanërisht kauzën e tij të fortë, Legalitetin. Kundërshtarët e tij, më vonë, e përdorën së tepërmi atë si armë politike kundër tij, duke ia kujtuar se nuk njihej nga aleatët si kreu i shtetit shqiptar, por vetëm si qytetar normal.

Exit mobile version