Feronikeli ’74 ka marrë tre pikë të mëdha në luftën për mbijetesë, pasi ka mposhtur Malishevën me rezultat 2-1.
Florent Avdyli dhe Ibrahim Cërvadiku realizuan golat për skuadrën vendase, derisa Drilon Hazrollaj për mysafirët.
Trajneri i ‘Industrialistëve’, Shefki Kuqi ka folur pas ndeshjes duke thënë se ishte i bindur në fitore.
“Po fitojmë me mund të madh. Pavarësisht kësaj, unë kam një grup lojtarësh që po japin më të mirën. Secili ndryshim në formacion, secili zëvendësues, po e jep maksimumin”, tha Kuqi pas ndeshjes.
Kuqi ka thënë se kanë bërë paraqitje shumë të mira sidomos në ndeshjet e fundit dhe se nuk ka rëndësi kundërshtari, pasi synojnë vetëm fitore.
“Po bëjmë lojë të mirë, atraktive, por rezultatet nuk kanë qenë ato që i kemi merituar. Kjo është fitore e madhe. E kam pasur bindjen e madhe për fitore. Edhe pse pranuam gol, u kthyem në lojë dhe dominuam”.
“Kemi bërë paraqitje shumë të mira, sidomos në 4-5 ndeshjet e fundit. Nuk ka rëndësi se kush ka qenë përballë nesh, kemi luajtur mirë. Tani djemtë do të pushojnë e do t’i kthehemi punës. Synim i kemi vetëm fitoret”, ka deklaruar Kuqi. /Telegrafi/