Pavarësisht eliminimit të Shqipërisë nga Evropiani që në fazën e grupeve, mediat italiane vazhdojnë të shkruajnë ende për kuqezinjtë, e mbi të gjitha për trajnerin Gianni De Biasi.
Ai është njeriu që ua dhuroi ëndrrën shqiptarëve duke i kualifikuar në Evropian, shkruan gazeta e Modenas në Itali.
Shqipëria u largua me kokën lartë nga Evropiani, ka thënë De Biasi, duke përmendur që kuqezinjtë morën një fitore, por zhvilluan edhe dy ndeshje mjaft të mira, ku fati nuk ishte me ne. Nuk anashkalon as tifozërinë e shumtë që mbështeti kombëtaren në tri ndeshjet e “Euro 2016’, transmeton TCH.
“Ndaj Francës në Marsejë në një stadium me 64 mijë vende, 20 mijë ishin mbështetës të Shqipërisë, ndërsa ndaj Rumanisë kishte 30 mijë tifozë përballë 9.000 rumunëve. Një tifozeri e jashtëzakonshme si ajo që na priti pas rikthimit në shtëpi”, ka theksuar De Biasi.
Aktualisht, strategu italian po shijon ditët e pushimit pas evenimentit kontinental, ku presioni ishte i madh për një kombëtare të vogël.