Site icon Telegrafi

Nga Presidenca tregojnë pse nuk u zhvillua takimi Osmani – Haradinaj

Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka sqaruar se pse Presidentja nuk ka zhvilluar takimin e paraparë me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, për të diskutuar zhvillimet aktuale në vend dhe draftin e Statusit të Asociaicionit.

Kupina ka thënë për Telegrafin se takimi i Presidentes Osmani me kryetarin e AAK-së nuk është zhvilluar për shkaqe protokollare.

“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, ka thënë Kupina.

Më tej ai ka thënë se “pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale”.

“Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, tha ai.

Ndryshe, Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë sot për Telegrafin se konfirmoi se pavarësisht gatishmërisë së tyre për dialog, takimi i planifikuar për të hënën nuk u mbajt për shkak të zgjatjes së një takimi të mëparshëm të Presidentes Osmani me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Lexo po ashtu Dështon takimi i Haradinajt me presidenten, AAK thotë se Osmani nuk respektoi orarin

Tutje Xhemaili theksoi se: “E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit”.

“E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit”, tha Xhemaili.

Si rezultat, Haradinaj u detyrua të largohet nga presidenca pasi presidentja nuk arriti të respektojë orarin e caktuar.

“Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në presidencë në orarin e përcaktuar nga Osmani, por fatkeqësisht presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, tha Xhemaili.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku të hënën zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani falënderoi të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë.

Lexo po ashtu Krasniqi: Takimet konsultative nuk kanë asnjë efekt në draft-statutin e Asociacionit, qëndrimet e PDK-së janë të qarta 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë sot se nuk ka marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, sepse konsideron se takimet e tilla nuk japin asnjë efekt real për çështjen e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi ka thënë se është e rëndësishme që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të jap qëndrim zyrtar kryeministri i Kosovës, i cili sipas tij, sot e kësaj dite ende nuk ka qëndrim./Telegrafi/

Exit mobile version