Site icon Telegrafi

Kupchan: Kurti duhet të bisedojë, nuk ka zgjidhje me ultimatume

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur të refuzojë të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e thirrur më 26 qershor nga Bashkimi Evropian.

Një gjë e tillë, sipas tij, “nuk shkon në dobi të Kurtit”.

“…sepse, nën një, Kosovën e portretizon si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë me ultimatume”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të mërkurën se Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Borrell tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës.

Kupchan, tani profesor në Universitetin Georgetown, thotë se udhëheqësit e dy vendeve, herët a vonë, do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira”.

Exit mobile version