Telegrafi

Kundërshtuan policinë, procedohen penalisht drejtuesit e kampit të muxhahedinëve në Durrës

Gjashtë drejtues të muxhahedinëve janë proceduar penalisht pas kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë së Shtetit ditën e djeshme, gjatë kontrolleve të ushtruara në kampin e tyre në Manzë.

Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes janë dëmtuar 15 punonjës policie.

“Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së”, sqaron policia.

Lexo po ashtu DASH mbështet aksionin policor të Shqipërisë në kampin e opozitës iraniane

“Si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit. Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre”, lexohet në njoftimin e policisë.

Lexo po ashtu Ambasadorja Kim në konferencën e lamtumirës: Vendimi për largimin e muxhahedinëve i takon qeverisë shqiptare

Të proceduar janë gjashtë persona: H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç, të gjithë drejtues të MEK. /Telegrafi/