Site icon Telegrafi

Kundërshton masat e reja anti-COVID, Ahmeti: Shumë prej nesh sonte nuk i zë gjumi

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka reaguar sërish ndaj masave të paralajmëruara nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është kundër masave të reja anti-COVID, sipas të cilave Prishtina bashkë me pesë komuna të tjera futen në zonën e kuqe-rrezik i lartë, që nënkupton se pas orës 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, por edhe do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

“Jam kundër kritereve koti që e veçojnë Prishtinën me kalkulime të gabuara. Pra këto masa e vështirësojnë situatën e nuk e ndihmojnë situatën me COVID. Në qoftë se masat merren në krejt Kosovën me arsyetime të bazuara se do ta ngadalësojnë virusin, atëherë e bëjmë”, ka shkruar Ahmeti.

Postimi i plotë i Ahmetit:

“Për shkak se plotë prej juve po më shkruajnë më duhet të qartësoj:

1. Nuk jam kundër masave – të gjithë e kuptojmë se gjendja është përkeqësuar jo vetëm tek ne por në krejt regjionin e plotë shtete të botës.

2. Jam kundër kritereve koti që e vecojnë Prishtinën me kalkulime të gabuara. Pra këto masa e vështirësojnë situatën e nuk e ndihmojnë situaten me COVID. Në qoftë se masat merren në krejt Kosovën me arsyetime të bazuara se do ta ngadalësojnë virusin, atëherë e bëjmë.

3. Nuk mërzitem për mirëqenien e pronarëve të bizneseve në aspektin e sigurisë financiare sepse mendoj se ata gjinden në fund. Por, bizneset janë burim i punësimit dhe unë e kam hallin e punëtorit që paraqitet në komunë duke kërkuar ushqim e barna.

4. Masat duhet të jenë të targetuara mirë dhe që kanë efekt. Përndryshe mos me arrit qëllimin e vet e prapë me pas rritje të numrit të të infektuarve do jetë kosto e dyfishtë.

5. Mbyllja pa masat ekonomike të subvencionimit dhe injektimit të parave në ekonomi shkakton kosto të madhe shëndetësore. Përvec situates goxha të rëndë psikologjike për qytetarët nga covidi po i shtojmë edhe probleme të pakalkueshme ekonomike e sociale.

5. Para se me mbyll tjerët duhet me pastru oborrin tonë. Sa punëtorë në institucione publike e edhe në KOmunën e Prishtinës i përmbahen rregullave? sepse është e qartë që edhe kjo është vatër e përhapjes. Këtu kemi përgjegjësi bukur shumë të gjithë ne.

Në fund, e thash disa herë që me këto kritere Prishtina po penalizohet për shkak se teston më shumë. Kjo është e padrejtë dhe është motivim i keq për mos me testu. Ne duhet ta bëjmë të kundërten të testojmë sa më shumë. P.sh. Si ka mundësi që Prishtina të ketë vdekshmërinë rreth 1 përqind e Prizreni 4 përqind, kur numri është shumë më i madh në Prishtinë. Kjo ka kuptim vec kur e kuptojmë që Prishtina teston më shumë.

– Pra – po, situata është e rëndë dhe duhet masa.

– Kriteret duhet të jenë shkencore e jo ad-hoc!

– Masat duhet të kenë qëllime dhe kufizime të bazuara në argumente të forta.

– Duhet të testojmë edhe më shumë dhe duhet të shtojmë kapacitetet shëndetësore në rast të një krize edhe më të madhe. Duhet të sigurohemi që ka oksigjen mjaftueshëm për krejt spitalet regjionale dhe duhet të kemi plane kontingjete per spitale mobile. Psh. Prishtina e ka këtë plan!

– në qoftë se mbyllemi tash, cka ndodh kur e hapim prapë krejt, apo ideja është që ta mbyllim deri në vakcinë, apo dicka tjetër.

Këtë çka po e them as nuk po e them për gastronomët, odat ekonomike apo pronarët e bizneseve, sepse profiti i tyre është brenga ime më e vogël. Por humbja e tyre nënkupton humbje të vendeve të punës, dhe pastaj ndihma sociale për qytetarët. E bëjmë edhe këtë si masë, por ama ky vendim nuk merret tu diskutu thua se po flasim për ndonjë shtet tjetër. Ne shkojmë rahat në shpi sonte sepse kemi të ardhurat e sigurta në sektorin publik, por plotë prej neve sonte nuk i zen gjumi”, ka shkuar kryetari i Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar sot masat e reja antiCovid që pritet të votohen në mbledhjen e radhës të Qeverisë. Hoti ka bërë të ditur se masat e reja do të vlejnë për tërë territorin e Kosovës, dhe se kanë bërë kategorizimin e komunave, varësisht numrit të personave të infektuar.

Lexo po ashtu Nga Prishtina në zonë të kuqe e deri te Istogu në zonë të gjelbër, kështu pritet të bëhet kategorizimi i komunave

Hoti njoftoi se komunat do të jenë të kategorizuara: Zona e kuqe ( rrezik i lartë), zona e verdhë ( rrezik mesatar), dhe zona e gjelbër (rrezik i ulët). /Telegrafi/

Exit mobile version