Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) numërim të plotë të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Mirëpo njëjtë nuk mendojnë dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës si dhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Cakolli tha se rinumërimi i të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, vetëm mbi bazën e supozimeve se mund të ketë pasur manipulime – pa prova konkrete, do ta dëmtonte seriozisht integritetin e procesit zgjedhor dhe do ta minonte besimin e publikut në këto zgjedhje.
Ai po ashtu theksoi se rinumërimi i tërësishëm do të duhej të ndodhte vetëm në rast se ka prova të mjaftueshme që skema masive të manipulimit apo salikimit të rezultateve kanë ndodhur në tërë Kosovën.
Sipas tij, nuk mund të ketë rinumërime për t’a pastruar imazhin e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar që mund të jenë të përfshirë në fenomene të tilla.
“Edhe po të mos kishim fare ‘ngutinë’ e formimit të institucioneve, sërish nuk do të duhej të kishim rinumërim, vetëm pse dikush i ka thënë dikujt – një kandidati – se ka votuar për të, e një votë e tillë nuk është reflektuar në rezultatet zyrtare. E për më shumë, s’mund të kemi rinumërime për t’a pastruar imazhin e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar që mund të jenë të përfshirë në fenomene të tilla. Sidoqoftë, është më se evidente që votimi preferencial, kualiteti i trajnimeve të komisionerëve lidhur me numërimin, si dhe tendencat e komisionerëve për mos reflektimin e drejtë të vullnetit qytetar, janë faktorë që e bëjnë të domosdoshme rishikimin e këtij aspekti të procesit zgjedhor në tërësi”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar sot pas deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për rinumërim të plotë të votave.
Miftaraj tha se rinumërimi i votave nuk është fontanë dëshirash, por çështje procedure.
Rinumërimi i votave në tërë territorin e Kosovës nuk është fontanë dëshirash, por procedurë!
Vetëm pse dikujt i teket pas konsumimit të një xhygym çaji me i ri numërua votat nuk do të thotë se është legjitime dhe e drejtë.
Procesi i ankimimit është në Gjykate Supreme dhe ajo e vlerëson çdo ankese veç e veç. Durim dhe respektim i autoritetit të Gjykatës Supreme deri nesër dhe ruajtje e integritetit të procesit zgjedhor. /Telegrafi/