Site icon Telegrafi

Kundërshtari i Kosovës në hendboll në konkurrencën e fermave, Ishujt Faroe kanë luajtur në fazën e dytë kualifikuese për ‘Euro 2022’

(Foto: kosovahandball.info)

Skuadrën e Kosovës në hendboll (femrat) nuk e pret punë e lehtë në fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2023. Ekipi i Ishujve Faroe, me të cilin përballet Kosova në nëntor, është në rritje e sipër.

Së fundi kjo përfaqësuese u paraqit në fazën e dytë kualifikuese për Euro 2022, nivel në të cilin nuk kishte arritur Kombëtarja jonë.

Ishujt Faroe ishin në grup me Danimarkën, Rumaninë dhe Austrinë, pra në një grup shumë të fortë. Dhe i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet duke mos u kualifikuar. Me Austrinë, me të cilën Kosova vjet zhvilloi ndeshje thuajse të barabartë, Ishujt Faroe kanë humbur me katër e pesë gola dallim.

Lexo po ashtu Kosova luan me Ishujt Faroe në kualifikimet për Botëror në konkurrencën e femrave në hendboll

Në fazën e parë kualifikuese për Euro 2022, Ishujt Faroe kishin fituar grupin me Finlandën e Izraelin. Ndërsa Kosova mbeti e dyta në grup pas Portugalisë, duke fituar me Qipron e Luksemburgun. Por, Kosova në ato ndeshje ishte paraqitur thuajse e përgjysmuar.

Ishujt Faroe kanë përvojë më të gjatë se Kosova në skenën ndërkombëtare, ndërsa kanë marrë disa fitore rrugës. Por ka edhe humbje të thella. Disa prej lojtareve të Ishujve Faroe bëjnë karrierë në Danimarkë. Ndikimi i hendbollit danez në atë të Ishujve Faroe është i madh.

Kështu, Kosovën e presin dy ndeshje të forta, por jo të pakalueshme. Synimi mbetet kualifikimi, sidomos me hendbollistet tona që janë në nivel të lartë të karrierës së tyre.

Exit mobile version