Kundërmimi i rëndë i ujërave të zeza në rrugën “Rexhep Krasniqi”, po vazhdon tash e sa vite.
Kanali që kalon në këtë lagje, e që i grumbullon këto ujëra dhe shumë mbeturina, është kthyer në shqetësim serioz për banorët e kësaj lagje.
Qytetarët kanë dërguar foto dhe video, përmes të cilave e kanë dëshmuar gjendjen e rënduar në këtë pjesë, veçanërisht kur ka reshje të shiut dhe kanali derdhet në rrugën që shfrytëzohet nga këmbësorët.
Zyrtari për Komunikim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë për Telegrafin se kolektori në lagjen “Kalabria” është punuar intensivisht.
Sipas tij, problemi me një parcelë toke i ka detyruar që t’i ndërpresim punimet.
“Këtë problemi jemi duke e negociuar me të gjitha palët e përfshira, dhe jemi drejt zgjidhjes. Sapo ta kalojmë këtë sfidë, do të vazhdojmë me punime, ashtu që t’i përfundojmë sa më parë”, ka theksuar Tahiri. /Telegrafi/