Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Anglinë të premten mbrëma në stadiumin legjendar Wembley.
Do të jetë një përballje edhe mes shokëve të skuadrës së Romës, Marash Kumbulla i Shqipërisë dhe Tammy Abraham.
Dy futbollistët janë miq të mirë dhe natyrisht që nuk mungon shakaja mes tyre.
Ka qenë mbrojtësi shqiptar që për SuperSport ka zbuluar bisedën që ka pasur me sulmuesin anglez Tammy Abraham para përballjes të së shtunës.
Kumbulla ka deklaruar se Abraham i ka kërkuar ta lejojë të shënojë ndaj Shqipërisë, por natyrisht përgjigja e shqiptarit ka qenë negative.
“Kemi folur pak për ndeshjen. Ai më tha: “nëse do të luaj, më lër të bëj gol”. Unë iu përgjigja se nuk ka mundësi të ndodhë kjo”, tha Kumbulla.
Tutje mbrojtësi kuqezi tha se janë shumë shokë me anglezin dhe shpreson që ai të bëjë mirë me Kombëtaren, por jo kundër Shqipërisë.
“Jemi shumë shokë me njëri-tjetrin, Tammy është një djalë shumë i mirë. Shpresoj të bëjë mirë në kombëtare, por jo kundër nesh”, u shpreh mbrojtësi shqiptar. /Telegrafi/