Marash Kumbulla vjen në Kombëtaren e Shqipërisë pas një momenti fantastik në karrierën e tij. 20-vjeçari vetëm pak kohë më parë u transferua te Roma, ku u shndërrua menjëherë titullar i mbrojtjes.
“Jam shumë i kënaqur, sepse shkova në një klub historik. Rëndësi ka që të luaj në vazhdimësi me Romën dhe pastaj të vij në Kombëtare. Rëndësi ka që Kombëtarja të luajë mirë dhe të fitojë, për aktivizimin tim vendos trajneri”, ka thënë ai në konferencën për shtyp, transmeton SuperSport.
Ndeshja e tij e parë si lojtar i Giallorossëve ishte pikërisht kundër kampionit Juventus që u mbyll me rezultat të barabartë.
Në atë ndeshje, ai e pati mundësinë që të luante përballë idhullit të tij, qendërmbrojtësit italian, Giorgio Chiellini. Ai ka treguar se çfarë i tha kapiteni i Zonjës së Vjetër.
“E ndërrova bluzën me Chiellinin, sepse është idhull im. Më tha ‘bravo’ për zgjedhjen që bëra, pra që firmosa me Romën”, ka treguar Kumbulla. /Telegrafi/