Telegrafi

Kumanovë, nis punën qendra rehabilituese e të varurve nga droga (Video)

Edhe përkundër reagimit të ashpër të qytetarëve të Kumanovës e sidomos banorëve që jetojnë përreth Spitalit të përgjithshëm të Kumanovës, ka filluar me punë Qendra ditore për rehabilitimin e përdoruesve të mjeteve narkotike që është në kuadër të repartit psikiatrik. Ndonëse pritej që në mënyrë solemne të hapej kjo qendër ditore një gjë e tillë ndodhi fshehtas dhe pa praninë e mediave. Drejtori i Spitalit Arif Latifi, thotë se pacientët janë nën mbikqyrje të tërësishme dhe se objekti 24.00 është nën mbikëqyrje të kamerave, njofton Alsat M.

“Kjo qendër ka filluar me punë, është bërë dislokimi me urdhër të ministrisë së shëndetësisë. Pacientët tanë vijnë e marrin terapinë që është një tretje dhe menjëherë largohen nga hapësirat spitalore. I themi bashkëqytetarëve tanë se nuk kanë asnjë lloj rreziku, dhe se kjo qendër do të jetë në mbikëqyrje 24 orë, kemi ne këtu edhe sigurim, kemi gjithashtu edhe kamera dhe se i njohim pacientët tanë por mund t’u sigurojmë edhe pacientëve tjerë që vijnë në spitalin tonë se nuk do të kenë asnjë lloj rreziku as për shëndetin e tyre e as për jetën e tyre, nuk ka nevojë për frikë sepse do ta menaxhojmë këtë situate sikurse duhet dhe nuk do të ketë asnjë problem”, deklaroi Arif Latifi, drejtor i spitalit të Kumanovës.

Por, pavarësisht premtimeve të tilla, banorët kundërshtojnë zhvendosjen e kësaj qendra në hapësirën e spitalit. Banorë të lagjeve përreth spitalit ditë më parë shprehjen e pakënaqësisë e shprehen përmes protestave.

“Ne si qytetarë nuk e kuptojmë se si ka mundësi të pranohet një kompromis si ky që kjo qendër të vendoset pikërisht në vendin ku çdo ditë frekuentojnë nxënës, student, ku në shëtitore dalin gra shtatzëna dhe pleq të lodhur nga sëmundjet e shumta.”

“ Fëmijët tanë më nuk janë këtu të sigurt, unë pike së pari vajzën e kam këtu në shkollën e mesme ekonomike, ajo çdo ditë do ta kalon këtë rrugë, unë si person invalid do të jem I obliguar që ta dërgoj në shkollë vajzën se nuk jam i sigurt se ajo a do të shkojë dhe a do të kthehet e sigurt.”

“Afër janë shtëpitë, këtu është qendër, shumë e rrezikshme është për fëmijët tanë, le të marrin mesa ta largojnë prej këtu, le ti dërgojnë jashtë qytetit jo brenda qytetit.”

Qendra për rehabilitim për të varurit nga droga dhe narkotikët, deri para disa ditësh për vite të tëra ka funksionuar në kuadër të Ambulancës në lagjen “Goce Dellçev“, mirëpo pas kundërshtimeve të shumta të banorëve maqedonas të asaj lagje u zhvendos në hapësirat e Spitalit të Kumanovës. /Telegrafi/