Telegrafi

Kumanova dhe Gjilani riaktivizojnë bashkëpunimin

Kumanova dhe Gjilani do ta intensifikojnë bashkëpunimin përmes realizimit të projekteve, të cilat mbështeten nga Fondet IPA 2, përmes zyrës evropiane e cila ndodhet në Gjilan, kanë njoftuar sot kryetarët e dy komunave, Zoran Damjanovski dhe Lutfi Haziri, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Dy komunat, para gjashtë viteve kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim, ndërsa tani, me nismën e komunës së Gjilanit, ky bashkëpunim u riaktivizua, ka theksuar Damjanovski.

“Bartës i nismës së projekteve IPA 2 për bashkëpunim ndërkufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë është pikërisht Gjilani. Në tetor të këtij viti do të mbahet konferencë rajonale e zyrës evropiane në Gjilan dhe Kumanovë do të merrnin pjesë në këtë konferencë ku do të riaktivizohen mikro rajonet, me nismën e zyrës evropiane dhe në këtë mënyrë do të jemi më afër zbatimit të të gjitha këtyre projekteve”, ka deklaruar Damjanovski.

Një zyrë e tillë do të hapet në Maqedoni, me ç’rast vlerësojnë kryetarët e komunave akoma më shumë do të përforcohet bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkufitar. Ky bashkëpunim, përkujtoi kryetari i Kumanovës, është vazhdim i bashkëpunimit paraprak që këto dy komuna e patën në nivel të mikro rajonit Gjilan – Preshevë – Kumanovë – Tërgovishte si pjesë e rajonit të madh Nish – Shkup – Sofje.

“Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Gjilanit kanë traditë në bashkëpunimin e përbashkët, madje edhe në periudhat më të vështira. E njoftova kryetarin e komunës me mundësitë për bashkëpunim. Komitetin e rajoneve në kuadër të Bashkimit Evropian i obliguar për Ballkanin Perëndimor, në tetor të këtij viti, do të mbajë takim në Gjilan, ku mysafir do të jetë edhe kryetari i komunës së Kumanovës dhe do të jetë partner kryesor i kësaj konference, me qëllim që të vendoset bashkëpunim më i madh. IPA 2 në programin për bashkëpunim ndërkufitar i cili i përfshin Komunat e Kumanovës dhe të Gjilanit, por gjithashtu edhe komunat e rajonit, si Likova, si dhe ndërtimin e vendkalimit kufitar Belanovc-Stançiq, i cili është projekt me interes të të dyja qeverive, por megjithatë theksi vihet në bashkëpunimin midis Kumanovës dhe Gjilanit, si dhe projekteve të tjera të cilat e përfshijnë mikro-rajonin”, ka deklaruar Haziri.

Damjanovski po ashtu gjatë takimit ka paralajmëruar se dy komunat do të vëllazërohen, me ç’rast do të nevojitet që edhe këshillat e komunave të sjellin vendim për vëllazërim./Telegrafi/