Site icon Telegrafi

Kulusevski tregon dallimet mes Tottenhamit dhe Juventusit, Allegrit e Contes

Dejan Kulusevski thotë se largimi nga Juventusi dhe Italia ishte ‘gjëja më e mirë’ që mund të bënte, duke shtuar se ai punon më shumë në Tottenham nën drejtimin e Antonio Contes.

Reprezentuesi suedez u transferua në Londrën e Veriut në afatin kalimtar të janarit. Ishte një marrëveshje huazimi me një opsion për të blerë me vlerë rreth 45 milionë euro.

22-vjeçari nuk ishte titullar i rregullt nën drejtimin e Max Allegrit dhe u largua nga klubi pas vetëm gjashtë muajsh nën drejtimin e taktikanit toskan.

Çfarë nuk funksionoi në Juventus?

“Nuk e di, ndonjëherë në futboll gjërat shkojnë mirë. Nuk kam ndryshuar asgjë në këto muaj”, deklaroi Kulusevski për La Gazzetta.

“Unë gjithmonë shkoj dhe kam shkuar në fushë me përkushtim të plotë. Megjithatë, te Juventus diçka nuk funksionoi pavarësisht se sa kam punuar”.

“Më pëlqen të shikoj përpara sesa prapa. Sigurisht, nuk isha mirë te Juventus për shumë arsye dhe kur kupton se gjërat nuk funksionojnë, është e vështirë të ndryshosh drejtim në të njëjtin mjedis. Vendimi për t’u larguar nga Italia ishte më i miri që mund të merrja në atë situatë”.

“Gjithçka po shkon më mirë në Angli. Brenda dhe jashtë fushës. Tani dua gjithmonë të luaj futboll dhe të fitoj për ekipin tim”, ka shtuar ai.

Sa merita ka Conte për përmirësimet e tij?

“Shumë. Trupi im ka ndryshuar këtu, veçanërisht falë punës në palestër”, pranoi Kulusevski.

“Ne punojmë shumë çdo ditë, më shumë se në Itali. Më pëlqen mënyra se si ne punojmë këtu në Londër. Sigurisht që është meritë e trajnerit. Jam shumë i lumtur që luaj për të”.

A ka shumë dallime mes dy trajnerëve?

“Sinqerisht, po, nuk dua të them se njëri është më i mirë se tjetri, respektoj Allegrin dhe Conten. Ata të dy kanë fituar shumë në karrierën e tyre, por ideja e tyre për futbollin është e ndryshme”.

“Në Tottenham, ne punojmë shumë më tepër në palestër dhe rezultatet janë aty. Bota ime ka ndryshuar. Më duhet të them se kurrë në jetën time nuk kam takuar një person aq të motivuar sa Conte. Kur dikush si ai flet me ty, hyn në zemrën tënde”, potencoi më tej ai.

Kulusevski ka gjashtë gola dhe 11 asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat me Tottenhamin.

Ai u largua nga Italia pasi shënoi 15 gola në 94 paraqitje në Serie A, duke luajtur për Atalantan, Parman dhe Juventus. Ai iu bashkua Bianconerëve në verën e vitit 2020 për rreth 44 milionë euro, duke qëndruar në Torino për një vit e gjysmë. /Telegrafi/

Exit mobile version