Site icon Telegrafi

Kultivuan mbi 10 mijë bimë kanabis – arrestohen 3 persona në Shkodër, 6 në kërkim

Foto ilustruese

Policia e Shkodrës ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 6 të tjerë për kultivimin e 10 274 bimë narkotike kanabis, në fshatrat Kir dhe Pult, të cilat u asgjësuan nga Policia, në muajin gusht.

Këta 9 shtetas, të cilët vepronin si grup kriminal në fushën e narkotikëve, dyshohet të kenë kultivuar bimë narkotike edhe në zona të tjera të Malësisë së Shkodrës.

Në kuadër të fazës së 12-të të operacionit “Alpe të pastra” u vunë në pranga shtetasit A. Sh., 34 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në fshatin Bardhaj; A. F., 23 vjeç, banues në Gramsh.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: Gj. Sh., 37 vjeç, A. Sh., 30 vjeç, A. Sh., 34 vjeç, F. Sh., 34 vjeç, M. Sh., 31 vjeç dhe A. Rr., 23 vjeç, banues në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.

“Këta shtetas kanë lidhje familjare dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe nga veprimet hetimore dyshohet se kanë bashkëpunuar duke vepruar në formën e grupi kriminal ku secili kishte rolin e tij, nga sigurimi i farave narkotike deri në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike”, tha policia. /euronews/

Exit mobile version