Telegrafi

Kultivoi bimë narkotike në zonën e Koshares, arrestohet një shtetas i Shqipërisë

Policia ka arrestuar një person, shtetas i Shqipërisë, pasi dyshohet se i njëjti ka kultivuar bimë narkotike në Koshare zonën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka pranuar informacione relevante nga tereni se; në rajonin e Gjakovës, konkretisht në zonën e Koshares në kufi me Republikën e Shqipërisë  dyshohej  për mbjellje dhe kultivim të bimëve narkotike.

“Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë, Stacionin policor për mbikëqyrje kufitare (SPMK) në Ponoshec dhe në koordinim me hetimet rajonale nga fillimi i muajit gusht, kanë ndërmarr veprime konkrete policore përfshirë aplikimin e vëzhgimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së zonës”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

“Sot më 05.08.2021, njësitet policore të SPMK në Ponoshec rreth orë 05:20 gjatë realizimit të detyrave të tyre në atë zonë pranë dy parcelave ku ndodheshin bimët e dyshuara narkotike kanë ndaluar dhe identifikuar një person të dyshuar mashkull (A.H.) shtetas i Shqipërisë”.

Sipas Policisë, i dyshuari i lartcekur është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me urdhër të prokurorit kompetent ndaj tij është iniciuar rast, përderisa i njëjti ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Në vendin e ngjarjes (lokacioni  mbi fshatin  Koshare), janë zbuluar dy parcela me gjithsej (317) bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa, me madhësi nga 50cm deri në 100 cm.

Nga njësitet kompetente është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, përderisa me urdhër të prokurorit kompetent është bërë shkatërrimi (djegia) e bimëve në vend të sigurt dhe duke ndërmarr masat e nevojshme për lokalizim dhe mbikëqyrje të kontrolluar të zjarrit në këtë periudhë.

Vlen të potencohet se për shkak të rrezikshmërisë së lartë, konfiguracioni të terrenit dhe se vendi i ngjarjes ndodhej afër vijës kufitare me Republikën e Shqipërisë asistencë relevante është ofruar nga Policia e Shtetit Shqiptar, njofton Policia. /Telegrafi/