Specialisti i otorinolaringologjisë, Xhevdet Latifi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur për infeksionet dhe problemet me vesh.
Latifi në këtë episod ka folur edhe për kullimin e veshëve te fëmijët, gjersa tregoi se si problemet me vesh mund t’i tregojnë fëmijët e porsalindur.
“Kullimi i veshëve ndodh për shkak të shumë faktorëve, të cilat shkaktojnë infeksion të veshit… Një fëmijë mund të ketë kullim nga veshi në faza të caktuara të jetës së tij. Faktorët janë të shumtë dhe ka shumë rëndësi të përcaktohet natyra e infeksionet, kohëzgjatja e tij sepse mënyra e trajtimit pastaj dallon…”, tha doktori.
Tutje, ai bëri të ditur se një infeksion i thjeshtë i hundëve me një shkuarje të hundës dhe temperaturë shumë lehtë te fëmija mund të kalojë në infeksion të veshit të mesëm.
“Atëherë fëmija fillon të shqetësohet, e humb rehatinë, fillojnë dhimbje të forta të cilat është interesant se të fëmijët e porsalindur që ende nuk flasin japin disa shenja alarmuese dhe tregojnë se diçka nuk është në rregull… ose e tundin kokën ose e prekin veshin me dorë dhe kjo tregon se diçka nuk është në rregull…”, tha ai.
Podcastin e plotë mund ta shikoni më poshtë. /Telegrafi/