Ata që banojnë në Tiranë kanë mesatarisht të ardhurat më të larta për frymë në Shqipëri, thotë raporti i fundit i INSTAT-it për prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë – sipas rajoneve statistikore.
Tirana kishte të ardhura prej frymë prej 679 mijë lekë në vitin 2015 dhe pati një rritje me 5,5%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 37,0% mbi mesataren e vendit. Më pas renditen Qarku Fier me 550 mijë lekë, duke shënuar një rënie prej 9,6%, ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 11,0% mbi mesataren e vendit, shkruan Monitor.
Pas Fierit renditen Gjirokastra, Durrësi, Vlora, Berati dhe Korça.
Qyteti më i varfër është Kukësi, me rreth 319 mijë lekë duke shënuar një rënie me 2,2%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 35,7% nën mesataren e vendit. Më pas, me PBB-në për frymë më të ulët, renditet Qarku Elbasan me rreth 351 mijë lekë duke shënuar një rënie me 0,5% ndaj vitit 2014. PBB për frymë e këtij qarku është 29,2%, nën mesataren e vendit.
Për gjithë Shqipërinë, në vitin 2015 niveli i PBB-së për frymë është rreth 496 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2014 PBB për frymë u rrit me 2,63%.
Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 679 mijë lekë dhe pati një rritje me 4,8%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,1% mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 404 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 5,9%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,5% nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 457 mijë lekë, duke shënuar një rënie me 3,3%, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 7,8% nën mesataren e vendit.