Mesfushori kuqezi reflektoi qartë zhgënjimin në konferencën për shtyp nga Perros-Guirrec ku skuadra është rikthyer për të rinisur punën në prag të sfidës së radhës kundër Rumanisë.
“Normalisht jemi ende të mërzitur. 24 orë kanë kaluar, por ende e kemi në kokë golin e pësuar. Duhet të punojmë, kemi edhe pak kohë deri për Rumaninë”.
Më pas, 32-vjeçari u përqendrua te dueli i fundit, duke premtuar se skuadra do të japë maksimumin për të shpresuar deri në fund.
“Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira dhe nuk i kemi merituar humbjet. Me Zvicrën luajtëm shumë mirë dhe mund të kishim marrë një pikë, me Francën të gjithë e dinë atë që ndodhi. Rumania nuk është një kundërshtar i lehtë, janë paraqitur mirë me Francën dhe Zvicrën. Tashmë duhet të tregojmë vlerat tona për të arritur një fitore”.
Mesfushori i lindur në Gjakovë e pranon se skuadra ndihet e lodhur psikologjikisht dhe fizikisht, por shton se lojtarët janë profesionistë dhe kjo nuk do të reflektohet në fushën e lojës. Në fund, ai ndalet edhe te episodi i golit të pësuar në fundin e ndeshjes, duke e pranuar se ekipi gaboi në mbulim.
“Nuk duhet ta kishim pësuar atë gol ashtu, me disa lojtarë kundërshtarë në zonë. Secili mbrojtës duhet të kishte markuar lojtarin e tij dhe Franca është një ekip i madh që nuk të fal. Kemi bërë disa gabime, deri në momentin e golit”.