Site icon Telegrafi

Kukaj: Vetëvendosje më veprimin e fundit për drunjtë është duke instrumentalizuar të varfrit

Dega në Prishtinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka hedhur akuza ndaj Partisë Socialdemokrate (PSD) se disa punëtorë të punësuar së voni nga ta në ‘Hortikulturë’ kanë vjedhur një pjesë të druve, të cilat do t’ua lehtësonin kushtet e rënda rasteve sociale në komunën e Prishtinës.

Për këtë, drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vetëvendosje më veprimin e fundit është duke instrumentalizuar të varfrit.

Kukaj ka sqaruar se Komuna e Prishtinës veçse kishte planifikuar shpërndarjen e drunjve për rastet sociale.

“VV sot paska organizuar një aksion ku i kanë shpërndarë disa drunj disa familjeve në nevojë të Prishtinës. Kjo po ngjanë vetëm disa ditë para se Komuna të fillojë shpërndarjen e mbi qindra metrave kub drunj të mbledhur në Gërmi (për këtë vendim ka qenë në dijeni VV). Pra, ata kanë një qëllim. Ta zbehin vendimin e drejtë të Komunës së Prishtinës për ta bërë të njëjtën gjë. Në rregull deri këtu. Keni vendosur të merreni vetëm me ne. Po ju kuptoj. Por, ju lus të mos shfrytëzoni gjendjen e rëndë të këtyre familjeve për qërim hesapesh me ne”, ka thënë Kukaj.

Lexo po ashtu Përplasja VV - PSD për shpërndarjen e drunjve për skamnorët në Prishtinë

“Arbeni deri para ca muajve ka qenë përgjegjës për mirëqenien sociale në Prishtinë, e deri para disa jave edhe Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë. Sigurisht, me mungesën e tij në Komunë, varfëria u rrit në përmasa të paparamenduara sipas jush. Apo jo? A është kjo gënjeshtra e radhës që po mendoni ta plasoni? Me ca fotografi çasti me ca të varfër çasti? Nuk është që po ndihem keq për ju. Aspak. Po ndihem keq për ata që po i përdorni për nevoja të ditës”.

“Kam një këshillë. Në instrumentalizimin e radhës që do i bëni ca të varfërve rasti, dhuroni të paktën diçka më shumë. Janë festat e fundvitit e i keni 1.4 milion euro buxhet që ndahen nga buxheti i shtetit për VV. Me siguri se nuk ju shkojnë të gjitha në paga të brendshme. Ndani edhe ca për ata që po ju kryejnë punë. Pa vetëdijen e tyre sigurisht”, ka shkruar Kukaj, përcjell Telegrafi.

Exit mobile version