Telegrafi

Kuka: Dy vite më parë përjetova njërën nga çmenduritë më të mëdha

Trajneri më i suksesshëm kosovar, Driton Kuka ka përkujtuar një nga momentet më të veçanta në karrierën e tij.

Kuka ka kujtuar suksesin e madh të xhudistes Distria Krasniqi më 24 korrik të vitit 2021 kur xhudistja kosovare arriti të shpallet kampione olimpike në Tokio të Japonisë.

Suksesin e Distrias, Driton Kuka ka shkruar se e ka përjetuar si një çmendur të madhe dhe kishte ndjenja të papërshkrueshme.

“Për një ditë e javë të mbarë, 24 Korrik 2021, çmenduri. Tash dy vjet më parë Budokan Tokyo po njoftohej me kampionen e parë Olimpike në tempullin e xhudos. Nuk ishte Japonia por Kosova që ngadhënjeu”, ka shkruar Kuka në  profilin e tij në Facebook.

Tutje Kuka ka shkruar me krenari se si xhudistet nga Kosova po i tregojnë botës kualitetet e tyre.

“Shqiptare e lindur në Pejë e rritur dhe ndërtuar si sportiste në një lagje të qytetit tonë. Distria Krasniqi e Artë. Na bëri krenar, Majlinda e filloi Disi e Nora e vazhduan, të gjitha të arta. Sot dy vjet ishte çmenduri për mua, ndjenja të papërshkrueshme. Do doja që çdo trajner të përjetoj ndjenja të tilla”, ka shkruar ndër të tjera Kuka. /Telegrafi/