Avokati Kujtim Kërveshi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajruallu, ka folur rreth dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, ku ka theksuar se një prokuror të tillë Kosova nuk e ndërton çdo ditë, është një karrierë e tërë mbrapa tij.
“Në rolin e prokurorit mendoj se është një ndër prokurorët shembull me guxim dhe profesionalizëm i cili ndoshta sot mund të ketë agjenda për ta nxjerrë në pah një personalitet tjetër…z.Blakaj nuk ka qenë prokuror që ka abuzuar me mënyrën se si hetohen qytetarët e Kosovës, ai ka qenë i gatshëm që ta mbrojë dhe ruaj punën e tij si prokuror”, ka thënë Kërveshi.
Ai ka shtuar se dje nga Prokuroria e Kosovës kemi dëgjuar një hipokrizi profesionale.
“Prokurori Blakaj do ishte dashur që të paktën të jepte një deklaratë rreth kësaj kudo që është. Kosovës i duhen prokurorë të guximshëm dhe profesional, z.Blakaj ka qenë njëri prej tyre”, u shpreh Kërveshi.
Duke folur rreth asaj që është thënë se arsyeja e dorëheqjes së prokurorit Blakaj ka qenë shkaku i kërcënimeve, avokati Kërveshi ka thënë se këtë më së miri mund ta thotë vetë prokurori Blakaj.
“Unë nuk ndihem komfort në një shoqëri që mëton të jetë demokratike ku prokurori nuk mbështetet”, theksoi Kërveshi.
Kërveshi shtoi se këtë shoqëri e kanë kthyer në statistikë si shoqëria më kriminale në Evropë, ku çdo i dyti apo i treti ballafaqohet me procedura që nuk do të duhej të ballafaqoheshin. /Telegrafi/